Ballboy Network - Blog

Krijo faqen tuaj personale - Create your own page

KËNGËT E BILBILIT – JANË KËNGËT E ATDHEUT

Në thesarin e këngëve tona popullore, të cilat rreshtohen në ciklin e këngëve lirike të dashurisë , e që në fakt , përmes figurave të fuqishme artistike i këndojnë dashurisë ndaj atdheut, dashurisë ndaj lirisë, urrejtjes ndaj pushtuesit dhe robërisë – folklori ynë tradicional muzikor ka një bagazh të madh këngësh të krijuara në këtë frymë .

Karakteristikë e veçantë e figurave dhe sinonimeve artistike të këtyre këngëve janë: bilbili, pranvera , kafazi , dimri, lulet...etj.

Gjithandej ku përdoret nocioni “Bilbil” , është figurë simbolike që i atribuohet Atdheut. Nocioni “Pranverë”, është simbolikë që i atribuohet Lirisë. Figura e “Kafazit” , është sinonim i “Burgut”, kurse “Dimri” është sinonim i robërisë së rëndë . Nocioni “Lule”është sinonim i bijve dhe bijave të Atdheut, por edhe i të gjitha begative e të mirave që i ka në gjirin e vet Atdheu ynë .

Po qe se i analizojmë mirë tekstet dhe meloditë e këngëve të këtilla , do të vijmë në përfundim se në krijimin e këtyre këngëve , kanë pasur gisht mjeshtrit e mëdhenj të poetikës , por edhe mjeshtrit e mëdhenj të kompozimit muzikor , nga se në këngët e këtilla hasim në një poetikë shumë të fuqishme artistike dhe në melodi shumë të zhvilluara e të shoqëruara me ritmet më karakteristike të traditës sonë muzikore.

Thjeshtë, fitohet bindja se këto këngë nuk kanë mundur që të krijohen nga krijuesit e thjeshtë laik, të cilët nuk njohin shkrim- lexim dhe që nuk i njohin bazat elementare të muzikës dhe kompozimit .

Në studimet dhe analizat tona të mëhershme , kemi shkruar gjerësisht për disa këngë të këtij zhanri , të cilat në folklorin tonë tradicional , radhiten ndër perlat më të bukura të këngëve tona popullore , si që janë këngët shkodrane:”Mblidhen lulet në nji dovlet “ dhe “ O bylbyl , o i bukri i shpendve” , që janë këngë të krijuara në traditën qytetare shkodrane , por këngë me karakter të këtillë ka edhe në qytetet dhe krahinat tjera shqiptare.

Kësaj radhe do t’ i marrim në shqyrtim dhe analiza dy këngë të kësaj kategorie , të cilat janë krijuar , kënduar e kultivuar kudo nëpër qytetet dhe krahinat e Kosovës , por edhe në Maqedoni .

Kënga e parë , titullohet :”N’ agim herët kur u çova “, që është një këngë me karakter qytetar , e cila sipas të gjitha gjasave , do të jetë krijuar në Gjakovë , ose eventualisht në Prizren !

Kjo këngë shumë shpejtë ka depërtuar nëpër të gjitha qytetet dhe krahinat shqiptare , si në vendet urbane , ashtu edhe në ato rurale.

Është një këngë që këndohet me dashuri dhe afsh shpirtëror , si me përcjellje të orkestrinave me instrumente muzikore të fabrikuara, si me përcjellje të instrumenteve autoktone shqiptare nga ana e grupeve dhe individëve rapsodik.

Edhe teksti poetik i kësaj kënge , fund e krye i përkushtohet “Bilbilit”, pra Atdheut dhe vuajtjeve të tij shpirtërore.

Bilbili (Atdheu) , një ditë do të zgjohet nga gjumi herët në mëngjes , për t’ i kënduar këngët e tij , që e mundojnë në shpirt, si zakonisht . Por , në atë mëngjes ishte shumë i pikëlluar nga vuajtjet shpirtërore , nga të cilat në vend të këngës – i kishin shpërthyer lotët dhe vaji . Malli dhe nostalgjia e madhe që e kishte kapluar thellë në shpirt, Bilbilin (Atdheun) , ishte habitur dhe mendonte se po binte shi , duke mos e ditur se ata ishin lotët dhe vaji i tij:

Oh, n’ agim, o, herët, kur u çova ,

Oh, mu përga se binte shi !

Çova kryet e shikjova –

Ata ishin lot’t e mi !

Aman, aman,

Ata ishin lot’t e mi !

Vuajtjet e rënda të robërisë , kanë zënë ndryshkë në zemrën e Atdheut (Bilbilit), i cili i ka humbur të gjitha shpresat dhe nuk dihet se kur do të shohë dritën as diellin e Lirisë !

Nga këto vuajtje , Atdheu (Bilbili) rënkon, qanë e vajton . Por, mjerisht, askush nuk ia di hallet , se ai kërkon Liri:

Oh, zemra ime, ndryshk, o, ka zan-e,

Oh, nuk do t’ shoh ma dritë , as diell !

Nji bylbyl , more, qi po vajton-e ,

S’ ja din kush hallin e tij !

Aman, aman,

S’ ja din kush hallin e tij !

Bilbili (Atdheu) , vajton për fatin e vendit të vet, të cilit çdo ditë e më shumë po i kanosej rreziku , shfarosja , përndjekja e bijve të tij , nga çerdhet e lindjes dhe trojet e tyre stërgjyshore !

Bijtë e Atdheut , nuk do të dëshironin me asnjë kusht që t’ i braktisin vatrat (çerdhet) e tyre dhe t’ i lënë të shkreta , nga se askund tjetër në botë , nuk do ta gjejnë qetësinë dhe rehatinë e tyre shpirtërore!

Pra, ata nuk do ta lëshonin kurrë me dëshirë Atdheun e tyre, edhe atëherë kur nuk do të ketë bukë të mjaftueshme për ushqim, edhe në mos pastë aty as dushk, as barë:

Oh, bylbyli e vajton çerdhen e vet ,

Oh, mu n’ at pyll, ku ka le s’ pari !

S’ don me e lanë, ai, shkret vendin e vet-e,

Po mos pastë aty, dushk, as bari !

Aman, aman,

Po mos pastë aty , dushk as bari !

Gëzimi, lumturia , hareja e përqafojnë njeriun vetëm në vendin e vet .Aty ku ka lind së pari . Aty ku ka mësuar gjuhën e nënës . Aty ku ka mësuar lojërat e para të fëmijërisë së tij.

Njeriu, vetëm në çerdhen e vet: shtëpi, vendlindje, në atdheun e tij , jeton i lumtur dhe i gëzuar. Por, për të jetuar i lumtur , patjetër i duhet LIRIA !

Vetëm në atdheun e lirë , rrahjet e zemrës janë të gëzueshme dhe vetëm aty jeta e njeriut ka kuptim ! Vetëm aty, njeriu mund të prehet i qetë në amshim:

Oh, aty asht gëzimi i ri –e ,

Oh, ku ka t’ mira, o, përgjithmonë !

N’ çerdhe t’ vetë, ai don liri-e ,

Aty zemra i pushon !

Aman, aman,

Aty zemra i pushon !

Në strofën fijuese të kësaj kënge, krijuesi anonim popullor, përmes figurës së “Zemrës” e identifikon Atdheun e tij .

Atdheu, bënë përpjekje dhe sakrifica të mëdha për t’ u çliruar njëherë e përgjithmonë nga robëria .

Atdheu e do lirinë e plotë, ku mund të flitet lirshëm shqip (gjuhën e nënës) , e jo të komunikojë me gjuhët tjera të sundimtarëve dhe okupatorëve të huaj:

“Oh, mori zemër, je hyqmet-e,

Oh, gjithë po lypë, ti, me u liru’ !

Zemra e don gjuhën e vet-e ,

Me kanë t’ lirë me bisedu’ !

Aman, aman,

Me kanë t’ lirë me bisedu’!

Gjeniu popullor – krijuesi anonim i kësaj kënge, do t’ i jap fuqi edhe më të madhe artistike , kësaj kënge, duke e përfunduar me një refren, i cili ndryshon nga vargjet e strofave tjera , nga melodia dhe ritmi paraprak, duke iu drejtuar Atdheut (Bilbilit), të cilit edhe pse nuk i shterojnë dhe nuk i terën sytë kurrë prej lotëve – ai prapë se prapë, nuk do t’i humbas shpresat, nuk do ta humbas optimizmin dhe nuk do ta ndalojë këngën e tij, duke kënduar edhe në therë (robëri)!

Atdheu i robëruar nga therët (robëruesit, pushtuesit, sundimtarët e huaj) , qanë, vajton, derdhë lot pa pushuar, por asnjëherë nuk heq dorë nga përpjekjet për t’ u çliruar nga robëria:

Ani, ç’ ki bylbyl, qi knon n’atë therrë –

Sytë e tu, kurrë pa t’ u terë?!

Krijuesi anonim popullor, nuk do ta përfundojë këngën, pa e pyetur Atdheun (Bilbilin), se a do të ketë ndonjë shpresë se do të vjen Liria (Pranvera) ndonjëherë edhe për ne – kur edhe ne, do të jemi të lirë dhe do të këndojmë të lirë, sikur të gjithë popujt tjerë të botës së civilizuar:

Ani, a e kije kund ndoj shpresë,

Qi na knon najherë n’ pranverë,

Ah, najherë n’ pranverë?!

Njëra ndër këngët më të ndjeshme dhe më të fuqishme artistike, të kësaj natyre, është krijuar , kënduar dhe kultivuar në rrethin e qytetit të Kumanovës (Maqedoni).

Kënga mbanë titullin:”O ç’ ki bylbyl?” dhe e ka kënduar më së shumti këngëtari i ndjerë kumanovarë:Ismet Vejseli, i cili ka qenë njëri ndër këngëtarët e parë popullor shqiptarë të Radio Shkupit dhe Radio Prishtinës.

Vet titulli i kësaj kënge, që fillon me pyetjen :”O ç’ ki bylbyl?”, na tregon se këngëtari krijues anonim popullor, nën kushtet e rënda të okupimit, gjen forcë dhe guxim, që t’ i drejtohet Atdheut (Bilbilit) dhe ta pyes për vuajtjet dhe hallet, me të cilat përballet shekuj me radhë, nga shtypjet dhe nëpërkëmbjet e okupatorëve të ndryshëm.

Krijuesi popullor , përmes figurave bindëse nga jeta e përditshme , do t’ a pyes Bilbilin (Atdheun): “Përse të janë zbardhur flokët?!”, nga se dihet mirëfilli se njerëzve të vuajtur e të shtypur, më shpejt iu zbardhen flokët !

Ndërsa , Bilbili (Atdheu), do t’ i përgjigjet se flokët i janë zbardhur duke qarë natë e ditë për hallet dhe vuajtjet me të cilat po përballen bijtë e tij të robëruar !

O, ç’ ki bylbyl, more, qi tu kanë zbardhë flokët?

-More, natë e ditë, o, vëlla bre, tuj qajtë shokët !

Në pyetjen e krijuesit anonim popullor, drejtuar Bilbilit (Atdheut), se përse iu kanë shteruar sytë? Bilbili (Atdheu) , do t’ i përgjigjet, se sytë iu kanë shteruar duke qarë për fatin e të rinjve shqiptarë, të cilët rriten në mjerim, robërim, vuajtje, skamje, persekutime, burgosje, pa liri, pa atdhe, pa shkollim dhe pa kurrfarë gëzimesh në jetën e tyre:

O, ç’ki bylbyl, more, qi tu kanë shterrë syt-e?

-More, natë e ditë, o, vëlla bre, tuj qajtë t’ rijt-e!

Përmes figurave logjike, krijuesi sërish do ta pyet Bilbiln (Atdheun) e tij, se për çfarë arsyeje i janë zbardhur pendlat, që është figurë simbolike e cila shprehë lodhjet e mëdha dhe shpenzimin e fuqisë fizike , në kërkim të një jete më të mirë.

Përgjigja e kësaj pyetja, nga ana e Bilbilit (Atdheut), do të jetë ajo, se deri tek shpenzimi i fuqisë, lodhja dhe molisja e tij, ka ardhur nga përpjekjet e vazhdueshme të tij, për t’ ua qarë hallet, vuajtjet dhe aspiratat e pashtershme për lirinë e popullit të vet në trojet e veta etnike!

Këtu, mbase autori anonim, aludon tek përpjekjet diplomatike të atdhetarëve tanë, mes diplomacive të fuqive tjera shtetërore, për të siguruar lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e vendit (Atdheut).

O, ç’ ki bylbyl, more, qi tu kanë zbardhë pendlat?

-More, natë e ditë, o, vëlla bre, tuj qajtë dertat!

Në vazhdim të këngës, krijuesi anonim popullor, do të shprehë dufin dhe dëshpërimin e Bilbilit (Atdheut) të robëruar, i cili shprehet i habitur që pas të gjitha përpjekjeve, sakrificave dhe bisedave me vendet mike, për t’ i ardhur në ndihmë e përkrahje, deri tek pavarësia dhe liria, nuk u gjend askund ndonjë vend mik, apo fuqi botërore që t’ i dalë në ndihmë për ta fituar lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e kërkuar, për të shpëtuar këtë popull nga robëria dhe për t’ ia hapur dyert drejt vendeve të civilizuara dhe demokratike!

- O, si s’ mu gjet, more, kund, ndoj shok njiher-e ,

More, me ma çelë, o, vëlla bre, mu’ këtë der-e?!

Dëshirën dhe etjen e madhe për liri , Bilbili (Atdheu) do ta shprehte përmes këngës së tij , qoftë edhe në therët e veta , ku po të ishte i lirë, aty edhe dimri do t’ i bëhej verë !

Por, jo vetëm me kaq. Bilbili (Atdheu) po ta kishte lirinë e tij të plotë , edhe po të jetonte nën kushtet më të rënda , të cilat i krahason me jetën nën thera, do të jetonte i lumtur dhe i gëzuar !

Po ta kishte lirinë aq të shtrenjtë, Bilbili (Atdheu) do ta shporrte njëherë e përgjithmonë “Dimrin” (Robërinë e gjatë e të rëndë) dhe jeta e tij, gjithmonë do të bëhej “Verë”! Pra, do të lulëzonte liria , ngrohtësia, dashuria , gjallëria , gëzimi dhe progresi njerëzor !

-O, t’ dal e t’ knoj edhe ‘i herë n’ qatë therr-e,

More, dimenin, o, vëlla bre, ta baj ver-e !


Gjilan, më 12. 01. 2009. Demir KRASNIQI

Share 

Comment

You need to be a member of Ballboy Network - Blog to add comments!

Join this Ning Network

Badge

Loading…

Groups

Music

Loading…

© 2009   Created by Naki on Ning.   Create a Ning Network!

Badges  |  Report an Issue  |  Privacy  |  Terms of Service

Sign in to chat!